Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se e kishte nënshkruar projektligjin që urdhëron publikimin e dosjes së ish-financierit abuzues, Jeffrey Epstein, nga ana e departamentit të drejtësisë. Projektligji I kërkon autoriteteve të publikojnë të gjitha informacionet lidhur me hetimet 30 ditore për Epstein, edhe pse disa prej tyre mund të mos zbulohen nëse lidhen me ndonjë hetim aktiv apo nëse vlerësohet se shkelin privatësinë personale.
Kongresi i dha dritën jeshile projektligjit, pasi Trump ndryshoi qëndrim dhe u kërkoi ligjvënësve ta mbështesin mes trysnisë në rritje nga bashkëpunëtorë të tij. presidenti e cilëson çështjen si një mashtrim demokrat që synon të devijojë vëmendjen nga puna e kësaj partie.
"Ndoshta e vërteta rreth këtyre demokratëve dhe lidhjeve të tyre me Jeffrey Epstein do të zbulohet së shpejti, sepse unë sapo kam nënshkruar projektligjin për të publikuar Dosjet Epstein”, tha Donald Trump.
Dosjet e Epstein që do të publikohen sipas legjislacionit përfshijnë dokumente nga hetimet penale ndaj financiarit, mes të cilave transkripte intervistash me viktima dhe dëshmitarë, si dhe materiale të sekuestruara gjatë bastisjeve në pronat e tij.
Këto dosje janë të ndryshme nga mbi 20,000 faqet e dokumenteve nga prona e Epstein-it që Kongresi publikoi javën e kaluar, duke përfshirë disa që përmendin drejtpërdrejt Trump-in. Ndër to janë mesazhe të vitit 2018 nga Epstein, në të cilat ai thoshte për Trump-in:
“Unë jam ai që mund ta rrëzojë” dhe “ë di sa i ndyrë është Donald-i”.Trump ishte mik i Epstein-it për vite me radhë, por presidenti ka thënë se u larguan nga njëri-tjetri në fillim të viteve 2000, dy vjet para se Epstein të arrestohej për herë të parë.
Trump ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme çdo shkelje në lidhje me Epstein duke thënë se ky ishte një problem i demokratëve. (A2 Televizion)
