Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, tha të enjten se ai dhe kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, janë “pajtuar” gjatë një takimi se organi ligjvënës i vendit duhet të konstituohet plotësisht sa më parë.
“Sot u takova me kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha, për ta uruar për zgjedhjen e tij. U pajtuam mbi rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që të jetë e mundur, duke respektuar çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese”, shkroi Hargreaves në Facebook.
Basha e shpalli njëanshëm të përfunduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës të dielën, megjithëse nuk u zgjodh nënkryetari i pestë dhe i fundit nga komuniteti joshumicë serb - për çfarë u kritikua nga partitë e tjera parlamentare.
Nga pesë nënkryetarët e kërkuar me Kushtetutë, katër u zgjodhën - tre shqiptarë dhe një përfaqësues i pakicave joserbe - ndërsa i pesti, nga komuniteti serb, nuk arriti t’i siguronte votat e mjaftueshme.
Kuvendi i Kosovës nuk dha shumë hollësi në njoftimin e tij për takimin e Bashës me ambasadorin Hargreaves dhe bisedën e tyre në lidhje me seancën konstituive, përveç asaj se kryetari e njoftoi ambasadorin “për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për procesin e seancës konstituive të Kuvendit”.
Hargreaves tha se shpreson që ngërçi politik të zgjidhet shpejt në mënyrë që Kuvendi dhe një qeveri e re të mund ta vazhdojnë punën jetike për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se bisedoi me Bashën edhe për rëndësinë e konsultimit të mirëfilltë me komunitetin serb të Kosovës, për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqërinë kosovare.
Kuvendi theksoi se Basha e siguroi ambasadorin se Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të vet.
Takimi i Hargreaves me Bashën është i pari nga një ambasador i huaj në vend prej se Basha u zgjodh më 26 gusht.
Ndërkohë, me gjithë dyshimet lidhur me konstituimin e Kuvendit, partia e Bashës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka ndër mend të vazhdojë përpjekjet për formimin e Qeverisë së re, pasi ajo pritet ta rikonfirmojë liderin e vet dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për kryeministër të vendit.
Këtë e konfirmoi për Radio Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, i cili tha se një mbledhje e partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit do të mbahet të dielën e 7 shtatorit.
Pas asaj mbledhje, LVV-ja do ta dërgojë te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, emrin e Kurtit për të provuar formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse presidentja Osmani do ta mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër në këtë gjendje.
Presidenca e Kosovës tha në fillim të javës se ekipi ligjor po e analizon procesin e konstituimit të Kuvendit pasi Basha e shpalli atë të përfunduar.
Ajo nuk iu përgjigj të enjten Radios Evropa e Lirë nëse janë nxjerrë përfundimet mbi procesin dhe nëse e vlerëson të konstituuar Kuvendin.
Për këtë çështje, Osmani i priti në takime Hargreavesin dhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Osmani tha se, në lidhje me konstituimin e institucioneve të vendit, do të veprojë “në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.
I gjithë procesi i konstituimit të Kuvendit është përcjellë me kritika për shkelje ligjore dhe aktgjykime nga Gjykata Kushtetuese.
Një vlerësim i kushtetutshmërisë nga kjo gjykatë pritet edhe për rastin e fundit të dërguar nga Lista Serbe, e cila e konsideroi shkelje kushtetuese votimin ndaras të dy nënkryetarëve nga komuniteti joshumicë./ REL (A2 Televizion)