Bllokada e ndihmave në Gaza, Britania e Madhe pezullon bisedimet tregtare me Izraelin

Nga A2 CNN
20 Maj 2025, 16:26 | Bota

Bllokada e ndihmave në Gaza, Britania e Madhe pezullon bisedimet tregtare

Britania e Madhe ka pezulluar bisedimet tregtare me Izraelin dhe ka thirrur ambasadorin e shtetit të lindjes së mesme për të dhënë llogari për shkak të bllokadës ‘mizore’ të ndihmave në Gaza.

Sipas mediave të huaja, duke iu drejtuar deputetëve, David Lammy tha se Mbretëria e Bashkuar po pezullon negociatat me qeverinë izraelite për një marrëveshje të re të tregtisë së lirë dhe po thërret ambasadoren izraelite në Mbretërinë e Bashkuar, Tzipi Hotovely, në Ministrinë e Jashtme.

Ai thotë se ministri Hamish Falconer, do t’i thotë Hotovely-t se “bllokimi 11-javor i ndihmës për Gazën ka qenë mizor dhe i paarsyeshëm”.

"Bota po gjykon. Historia do t'i gjykojë ata", shton ai, shkruan A2 CNN.

"Bllokimi i ndihmës, zgjerimi i kufijve, shpërfillja e shqetësimeve të miqve dhe partnerëve tuaj. Kjo është e paarsyeshme dhe duhet të ndalet", tha ai më tej.

'Do të ndërmarrim veprime të mëtejshme', vijoi Lammy.

Lammy vazhdon: "Tani i them popullit të Izraelit se ne duam një miqësi të fortë me ju, të bazuar në vlera të përbashkëta dhe me lidhje të lulëzuara midis popujve dhe shoqërive tona".

"Ne jemi të palëkundur në angazhimin tonë për sigurinë dhe të ardhmen tuaj, për t'iu kundërvënë kërcënimit shumë real nga Irani, plagës së terrorizmit dhe të këqijave të antisemitizmit. Por zhvillimi i luftës në Gaza po dëmton marrëdhënien tonë me qeverinë tuaj”, vijoi ai.

"Dhe siç ka thënë kryeministri, nëse Izraeli vazhdon këtë ofensivë ushtarake, siç ka kërcënuar se nuk do të sigurojë ofrimin e papenguar të ndihmës, ne do të ndërmarrim veprime të mëtejshme si përgjigje", përfundoi Lammy. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos