
Bashkëshortja e Donald Trump Jr., Bettina Trump, konfirmoi se dasma e tyre në maj u financua pjesërisht nga një aleat i presidentit rus, Vladimir Putin.
Një postim në llogarinë e saj në Instagram, i publikuar në emër të çiftit, bëri të ditur se dy nga tre netët e festimeve të dasmës, të zhvilluara në një ishull privat në Bahamas, u financuan pjesërisht nga Umar Kremlev, një oligark rus me lidhje të ngushta me Putinin.
Deklarata u publikua të hënën, pasi media investigative ProPublica publikoi një artikull ku detajohej se Kremlev kishte paguar “qindra mijëra dollarë” për festimet.
Donald Trump Jr., një nga djemtë e presidentit amerikan, është qytetar privat, ndaj nuk është e paligjshme që ai të pranojë dhurata nga një shtetas i huaj.
“Miku ynë i dashur Umar organizoi me shumë bujari dy net të jashtëzakonshme festimesh. Ishte një dhuratë jashtëzakonisht bujare martese nga një mik, për të cilën ishim dhe mbetemi jashtëzakonisht mirënjohës”, thuhet në deklaratën e çiftit.
Megjithatë, organizatat që monitorojnë etikën thanë se kjo krijon sërish perceptimin e një konflikti interesi, pasi djali i presidentit ka pranuar dhurata luksoze nga një person i lidhur me një drejtues qeverie të një shteti të huaj, edhe pse ai nuk është punonjës i qeverisë amerikane.
“Njerëzit nuk japin thjesht qindra mijëra dollarë për një të njohur të rastësishëm pa pritur diçka në këmbim”, tha Jordan Libowitz, nënkryetar i komunikimit në organizatën Citizens for Responsibility and Ethics in Washington (CREW).
“E kuptoni se si Putini do ta shijonte gjithë këtë publicitet rreth faktit që njerëzit e rrethit të tij po afrohen me njerëzit e rrethit të presidentit”, shtoi ai.
(A2 Televizion)