Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, fajësoi presidentin Donald Trump për javë të tëra protestash, pasi grupet e të drejtave të njeriut thanë se shtypja e dhunshme nga forcat e sigurisë kishte marrë mijëra jetë.
“Kjo kryengritje ishte amerikane, ishte e qartë. Amerikanët planifikuan dhe vepruan. Qëllimi i tyre – dhe po e them këtë qartë dhe pa mëdyshje, me rreth 40 vjet përvojë në Republikën Islamike – është të gëlltisin Iranin”, tha ai.
Sipas tij, vetë presidenti i SHBA-së ndërhyri në këtë kryengritje duke inkurajuar drejtuesit e saj që të mos kishin frikë dhe duke u dhënë mesazhin se nuk do të mungonte as mbështetja ushtarake amerikane.
“Në të kaluarën, kur kishim kryengritje të shumta, shpesh ishte shtypi amerikan dhe politikanë të dorës së dytë nga Amerika ose vendet evropiane që ndërhynin. Këtë herë, risi e kësaj kryengritjeje ishte se vetë presidenti i SHBA-së ndërhyri: foli, bëri komente, kërcënoi, inkurajoi drejtuesit e saj dhe u dërgoi mesazh nga Amerika që të vazhdonin e të mos kishin frikë, sepse do t’i mbështesnin dhe do të ofronin mbështetje ushtarake. Pra, vetë presidenti i SHBA-së ndërhyri në kryengritje dhe ishte pjesë e saj".
Ali Khamenei, krahas presidentit Trump, bëri përgjegjës për ndërhyrje në Iran edhe Izraelin. Establishmenti klerikal fajëson për dhunën në protestat mbarëkombëtare në Iran njerëz që, sipas tyre, ishin të armatosur, por paraqiteshin si protestues. Duke i etiketuar ata si terroristë, Irani zyrtar thotë se Izraeli dhe SHBA-të ishin përgjegjës për organizimin e protestave dhe për shumë nga vdekjet e demonstruesve dhe të forcave të sigurisë.
“Ai foli hapur, inkurajoi hapur. Kemi dokumente njëra pas tjetrës që tregojnë se ata ndihmuan. Si amerikanët, ashtu edhe regjimi sionist ndihmuan. Ne nuk po e çojmë vendin në luftë. Nuk kemi ndërmend ta çojmë vendin në luftë, por nuk do t’i lëmë as kriminelët vendas”, tha ai.
Protestat në Iran shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike dhe u shndërruan në demonstrata të gjera që kërkonin fundin e sundimit klerikal në Republikën Islamike.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë, përfshirë edhe premtimin për të ndërmarrë veprime shumë të forta nëse Irani ekzekutonte protestuesit. Të premten, ai falënderoi udhëheqësit iranianë duke thënë se ata i kishin anuluar vrasjet masive. (A2 Televizion)