Një i moshuar humbi jetën si pasojë e përmbytjeve në Portugali dhe një grua u tërhoq nga rryma e një lumi të dalë nga shtrati në Spanjë, gjatë stuhisë Leonardo që ka sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta në gadishullin Iberik.
Leonardo është e fundit në radhën e një sërë stuhive dimërore që kanë goditur Portugalinë dhe Spanjën që prej fillimit të vitit 2026, duke vrarë disa persona, duke shkulur çatitë e shtëpive e duke përmbytur qyteza të tëra, shkruan A2 CNN.
Një burrë rreth të 70tave në rajonin jugor të Portugalisë, Alentejo, humbi jetën pasi makina e tij u rrëmbye nga vërshimi I ujit në një rrugë pranë një dige. Në jug të Malagës në Spanjë, një grua u shpall e humbur pasi e tërhoqi rryma e fortë e lumit Turvilla teksa përpiqej të shpëtonte qenin. Siç bëri të ditur policia një ekip shpëtimi prej më shume se 30 personash, shoqëruar nga helikopterë e dronë vijon kërkimet për gjetjen e saj.
148 rrugë janë bllokuar si pasojë e motit të keq, kryesisht në Kadiz, ndërsa janë mobilizuar 3500 efektive. Ndërkohë në fundjavë, Stuhia Marta, fronti I radhës në të ashtuquajturin ‘’treni I stuhive’, do të godasë rajonin përgjatë fundjavës. (A2 Televizion)