Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili bashkëkryeson Grupin e Kontaktit për Ukrainën me John Healey, është paraqitur gjithashtu në Forumin e Sigurisë në Varshavë që po zhvillohet sot.
Sipas mediave të huaja, gjatë fjalimit të tij të shkurtër kryesor, ai tha se mbetej pesimist në lidhje me perspektivat e paqes në Ukrainë, pas një presionit intensiv amerikan për bisedime paqeje me Rusinë.
"Përpjekjet diplomatike dështojnë të sjellin ndonjë armëpushim domethënës... Rusia madje ka rritur sulmet e saj ndaj Ukrainës", tha Pistorius, shkruan A2 CNN.
“E gjithë kjo nuk lë asnjë dyshim: Vladimir Putin nuk dëshiron armëpushim dhe nuk dëshiron paqe për Ukrainën”, shtoi ai, duke vënë në dukje se aleatët do të duhet të përqendrohen në fuqizimin e ushtrisë ukrainase.
Pistorius përsëriti se Gjermania ishte tani ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën, pasi Berlini pretendon se e ka tejkaluar SHBA-në këtë vit. (A2 Televizion)