“Opozita e përçarë edhe në Iran”, Paskal Milo: Mund të shpërthejë lufta civile, ja rreziku i madh për rajonin

Nga A2 CNN
2 Mars 2026, 22:24 | Bota

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, i ftuar në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli në A2 CNN, komentoi zhvillimet e fundit dhe tensionet në Lindjen e Mesme.

Duke u ndalur te situata në Iran, Milo theksoi se ekziston rreziku i shpërthimit të një lufte civile, për shkak të përçarjes së opozitës dhe përplasjes së mundshme me mbështetësit e regjimit aktual.

Ekziston edhe një rrezik që duhet ta përmendim, i cili është shpërthimi i një lufte civile. Mund të ketë përplasje mes opozitës, e cila është e përçarë dhe jo unike, dhe trashëgimtarëve të regjimit që do të kërkojnë ta mbajnë atë në pushtet”, u shpreh Milo.

Ai shtoi se opozita e jashtme iraniane e ka të vështirë të jetë efektive nëse nuk lidhet dhe nuk bashkërendohet me opozitën e brendshme.

Shqipëria në këtë rast është një vend që ka një angazhim të caktuar dhe i mbështet qëndrimet e aleatëve, edhe pse jo në vijë të parë. Por tani vëmendja duhet të kthehet edhe te MEK, pasi kjo është opozita më e dukshme jashtë Iranit. Nëse opozita e jashtme nuk lidhet me atë të brendshme, e ka shumë të vështirë të ndikojë realisht”, tha ai në Off The Record me Andrea Dangllin.

Sa i përket rolit të Shteteve të Bashkuara, Milo theksoi se ndërhyrja amerikane nuk ka si qëllim përmbysjen e regjimit iranian.

“Nuk jam dakord me tezën se amerikanët ndërhyjnë për të rrëzuar regjimin. Ata ndërhyjnë për të goditur infrastrukturën ushtarake dhe raketore të Iranit”, deklaroi ish-ministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos