Senatori amerikan Lindsey Graham i dërgoi një mesazh të ashpër Presidentit rus Vladimir Putin në një intervistë me Fox News, duke e paralajmëruar atë të mos nënvlerësojë vendosmërinë e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
"Putin, radha jote po vjen. Donald Trump është Scottie Scheffler i politikës dhe diplomacisë së jashtme amerikane, dhe ai është gati të të japë një mësim", tha Graham, duke bërë një paralele me kampionin amerikan të golfit, të njohur për dominimin e tij me gjakftohtësi në fushë.
Graham tha se Trump është “lodhur nga kjo lojë” dhe se do të vendosë tarifa kundër vendeve që blejnë naftë ruse - konkretisht Kinës, Indisë dhe Brazilit. Sipas tij, këto tre vende blejnë rreth 80% të naftës ruse me çmime të ulëta, duke “mbajtur kështu gjallë makinën e luftës së Kremlinit”.
“Ne do të vendosim tarifa 100 për qind mbi ta dhe është e qartë se këto tre vende së shpejti do të duhet të zgjedhin midis 'ndihmës së Putinit' ose 'ekonomisë amerikane'. Mendoj se ata do të zgjedhin Amerikën”, u shpreh senatori amerikan.
Më herët këtë muaj, Trump i dha Putinit një afat 50 ditor për të ndalur luftën në Ukrainë, përndryshe, siç njoftoi ai, do të pasojnë sanksione të ashpra që do të prekin edhe aleatët e Rusisë në tregun e energjisë. Në të njëjtën kohë, projektligji i Graham që do të vendoste tarifa prej 500 për qind për naftën ruse është ende duke pritur dritën jeshile në Senatin e SHBA-së.
Projektligji i Graham, i njohur si Akti i Sanksionimit të Rusisë, ka tërhequr kritika për ndikimin e tij të mundshëm në tregun global. "Një tarifë prej 500 përqind është në thelb një ndërprerje e plotë e tregtisë", tha Kevin Book , një analist i energjisë në Clear View Energy Partners.
Ligji i Graham, i quajtur Akti i Sanksionimit të Rusisë, është aktualisht në proces dhe u mbështet nga deri në 82 senatorë. Ligji pritet të pësojë ndryshime në konsultim me administratën Trump, por është e qartë se SHBA-të po përgatisin një kuadër të ri politikash më agresive.
Siç përfundoi Graham: “Këto vende nuk do të jenë më në gjendje të ulen në dy karrige. Ato do të duhet të zgjedhin: të mbështesin Ukrainën ose të financojnë luftën e Putinit.” (A2 Televizion)