Avokatët përshkallëzojnë bojkotin e proceseve në Gjykatën e Posaçme, në shenjë revolte ndaj rregullores së re të GJKKO, që ju pengon mbajtjen e celularëve në sallat e gjyqit. Nga e hëna, përveç seancave gjyqësore në themel të bojkotuara prej 8 shtatorit, avokatët do të bojkotojnë çdo seancë, përfshi edhe ato për vlerësimin e masave të sigurisë.
Vendimi u mor të enjten në përfundim të një mbledhjeje të pazakontë të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, shkruan A2 CNN. Në të njëjtën mbledhje, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, njoftoi avokatët se të gjitha gjobat e vëna drejt avokatëve nga Gjykata e Posaçme për shkak të mungesave në seanca gjyqësore do të mbulohen nga Dhoma e Avokatisë.
“Në radhë të parë, vendimi, i cili është akoma në ecurinë e tij, pra është në fuqi, është respektuar në mënyrë perfekte dhe me shumë përgjegjësi nga të gjithë anëtarët e dhomave të avokatisë, qoftë lokale, por edhe nga Tirana, që është dhoma më e madhe”, tha avokati Maks Haxhia.
“Vendimet e këtij këshilli, në bazë të ligjit për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë, janë, si organi më i lartë, të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e dhomës dhe nuk mund të prevalojë një rregullore, e cila jo vetëm është në kundërshtim me ato që ne parashtruam, por nuk është rregullore për ne edhe nga pikëpamja e hierarkisë. Është një rregullore që është poshtë ligjit, por dhe nuk është rregullore. I vetmi ligj të cilit ne i përulemi me korrektësi për ta zbatuar është vetëm ligji për profesionin e avokatit.
Sa na vlen licenca jonë, nuk na vlejnë ato lekë që na bëjnë gjobë. Megjithatë, deklarimi është ky: dhoma, edhe në rast se do të qëndrojnë ato gjoba, do t’i përgjigjet financiarisht, do t’i mbulojë dhoma këto, pavarësisht se në mënyrë absolute është një vendim i padrejtë, por që ne do ta ndjekim në të gjitha instancat gjyqësore”. (A2 Televizion)