Rusia dhe Ukraina do të nisin menjëherë negociatat për një armëpushim. Ishin fjalët e presidentit amerikan Donald Trump, i cili pas telefonatës së zhvilluar me homologun Putin, përcolli idenë e se paqja ishte e afërt, por i ndryshëm ishte versioni i Kremlinit, që tha se procesi i negociatave do të kërkojë kohë. Duke sinjalizuar një lloj zbehje të rolit të SHBA, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha pas telefonatës dy orëshe me Putin se kushtet e marrëveshjes së paqes do të negociohen vetëm nga Rusia dhe Ukraina ndoshta me ndihmën e Papës.
Ai refuzoi t’i përgjigjej thirrjeve të aleatëve europianë, për të shtuar presionin ndaj Moskës përmes sanksioneve të reja. Trysnia e vetme që Trump mendon se po ushtron ndaj Moskës, është paralajmërimi për tu tërhequr nga bisedimet. Në fakt mospërfshirjae mundshme e SHBA në luftë, është ajo që Moska gjithmonë ka kërkuar.
“Mendoj se diçka do të ndodhë. Ego të mëdha, shumë të mëdha janë të përfshira po jua them. Dhe nëse nuk ndodh, do të duhet thjesht të tërhiqen dhe ata do të vazhdojnë vetë. E përsëris, kjo është një situatë europiane, e tillë duhet të kishte mbetur”, tha Trump.
Putin falenderoi Trumpin për mbështetjen e rifillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta mes Moskës dhe Kievit, pas takimit të zhvilluar në Stamboll javën e kaluar. Por pas telefonatës së të hënës ai tha vetëm se përpjekjet ishin përgjithësisht në drejtimin e duhur, dhe përsëriti qëndrimin se duheshin adresuar shkaqet fillestare të konfliktit, shkruan A2 CNN.
“Duhet të përcaktojmë mënyrat më efektive drejt paqes. U dakordësuam me presidentin amerikan se Rusia do të sugjerojë dhe është gati të punojë mbi një memorandum dhe traktat të mundshëm të paqes , që përcakton një sërë çështjesh, si parimet e marrëveshjes, duke përfshirë edhe një armëpushim të mundshëm për një periudhë të caktuar kohe”, tha Putin.
Pas telefonatës me Putin, Trump bisedoi edhe me presidentin ukrainas dhe liderë europian. Zelenski tha më vonë se Kievi dhe partnerët po konsideronin organizimin e një takimit të nivelit të lartë mes Ukrainës Rusisë, SHBA, vendet e BE dhe Britanisë si pjesë e përpjekje për ti dhënë fund luftës. Ai e vuri theksin që asnjë marrëveshje me Rusinë të mos arrihet pa Ukrainën. (A2 Televizion)