Mes fishekzjarrëve dhe shpresës për një vit më të mirë, bota i dha lamtumirën 2025-s, një vit që shpesh ishte sfidues. Mesnata erdhi fillimisht në ishujt e Paqësorit, Kiribati dhe Tonga, e më pas në Zelandën e Re. Një prej qendrave të fundit që priti Vitin e Ri ishte Nju Jorku, ku qytetarët festuan në temperatura nën zero dhe numëruan mbrapsht teksa topi i famshëm u ul në Times Square.
Siç e do tradita, në Sidnej të Australisë, 2026 nisi me një spektakël fishekzjarrësh. Rreth 40 mijë efekte piroteknike u panë përgjatë 7 kilometrave, përfshirë efektin e një ujëvare pranë Harbour Bridge.
Me mijëra persona u mblodhën në Seul, ku një kambanë bronzi ra 33 herë në mesnatë, si pjesë e traditës budiste që simbolizon 33 parajsat. Ndërsa një orë më larg në perëndim, Kina e mirëpriti Vitin e Ri me festime dhe rrahje daullesh pranë Murit të Madh të Kinës.
Në Hong Kong, shfaqja e fishekzjarrëve u anulua pas zjarrit që përfshiu një kompleks apartamentesh, duke vrarë 161 vetë. Në vend të saj, një shfaqje dritash me temën e “fillimit të ri” transformoi fasadat në distriktin qendror.
Në plazhin e Copacabanës në Rio de Zhaneiro, vendasit e mirëpritën Vitin e Ri në mot më të ngrohtë, mes muzikës dhe fishekzjarrëve, teksa organizatorët shpresuan të thyenin rekordin botëror të vitit të kaluar për festimet më masive.
Magjik ishte spektakli i fishekzjarrëve në Paris, ku, si çdo vit, festa kryesore u zhvillua pranë monumentit ikonik të Harkut të Triumfit, përgjatë bulevardit Champs-Élysées.
Britania e Madhe e mirëpriti Vitin e Ri me spektakël dritash dhe projeksionesh pranë “Syrit të Londrës”, ndërsa me mijëra u rreshtuan përgjatë lumit Tamiz, përpara se Big Beni i famshëm të shënonte mesnatën.
Fishekzjarrët ndriçuan edhe qiellin mbi Berlin, ku qytetarët u mblodhën pranë Portës së Brandenburgut për të pritur Vitin e Ri. (A2 Televizion)