Zelenskyy falënderon Trump pas takimit në Paris

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 17:43 | Bota

Zelenskyy falënderon Trump pas takimit në Paris

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka falënderuar aleatët e tij perëndimorë, duke veçuar Presidentin amerikan Donald Trump, pas samitit në Paris sot.

Sipas mediave të huaja, në takimin e të ashtuquajturit koalicion i të vullnetshëmve u diskutuan specifikat mbi garancitë e sigurisë dhe "gatishmërinë e secilit vend për të kontribuar", tha udhëheqësi ukrainas.

Ai u takua gjithashtu me të dërguarin special të Trump, Steve Witkoff, shkruan A2 CNN.

Në një deklaratë pas takimit me udhëheqësit evropianë, Zelenskyy tha: “Kemi të njëjtin vizion se Rusia po bën gjithçka që është e mundur për të zvarritur procesin e negociatave dhe për të vazhduar luftën.”

Ai shtoi: “Do të doja veçanërisht të falënderoja Presidentin Trump për të gjitha përpjekjet e tij për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe gatishmërinë e Amerikës për të ofruar mbështetje për Ukrainën nga ana e saj”.

Kujtojmë se në shkurt, Trump e qortoi Zelenskyy-n para mediave botërore në Zyrën Ovale, për atë që udhëheqësi amerikan e përshkroi si mungesë mirënjohjeje.

Zelenskyy tha gjithashtu se paketa e 19-të e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë është duke u përgatitur. Kryetarja e BE-së, Ursula von der Leyen, tha më parë se kjo pritet këtë muaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos