Gjatë vizitës së saj në SHBA, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është ndalur dhe në një vizitë në Shoqatën shqiptare "Bijtë e shqipes" në Filadelfia.
Ajo vlerëson angazhimin e çdo shoqate që kontribuon për të ardhmen e Kosovës, pasi sipas saj zëri i tyre është i fuqishëm në institucionet amerikane.
Presidentja Osmani theksoi rolin e shqiptarëve të Amerikës, duke e quajtur kontributin e tyre të pazëvendësueshëm jo vetëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në vitet '90, por edhe në ditët e sotme.
"Shqiptarët këtu në Amerikë janë zë i fuqishëm në institucionet amerikane dhe shndërrohen në urë lidhëse mes SHBA-së dhe Kosovës ," deklaroi Osmani.
Vizita kishte si qëllim mirënjohjen dhe nxitjen e organizimit të mëtejshëm të diasporës, për të ngritur zërin në mbrojtje të Kosovës dhe të të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë. (A2 Televizion)