Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi se uji i Liqenit të Badocit është i sigurt për pije.
IKSHPK tha se analizat laboratorike të realizuara në tri ditët e fundit tregojnë se vlerat e manganit janë brenda kritereve të përcaktuara për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njerëzit.
Më 1 shtator, IKSHPK-ja kishte rekomanduar që uji i Badocit të mos përdorej për pije për shkak të vlerave të larta të manganit.
Edhe në të kaluarën ky institut kishte rekomanduar që uji i Badocit të mos përdorej për pije për shkak të niveleve të larta të manganit.
Mangani konsiderohet se kontribuon në shumë funksione trupore, përfshirë metabolizmin e kolesterolit, të glukozës e të karbohidrateve, në formim të kockave, në mpiksjen e gjakut, dhe në reduktimin e inflamacionit.
Por, sasia e tepruar e tij rrezikon kryesisht fëmijët nën 5 vjeç, pasi nga ekspozimi afatgjatë mund të përballen me probleme me kujtesë dhe përqendrim.
Përveç ujit, mangani gjendet edhe në ajër dhe shumë ushqime, përfshirë drithërat, fasulet, arrat dhe çajin, gjithmonë në vlera të pranueshme për trupin e njeriut. REL (A2 Televizion)