Një katërvjeçar ka humbur jetën tragjikisht në Ferizaj. Fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani në oborrin e shtëpisë, derisa ngasësi i makinës ka lidhje familjare me viktimën.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Me datën 22.06.2025 rreth orës 18:35, nga stacioni policor në Viti jemi njoftuar se në ambulancën e fshatit Pozheran është dërguar një fëmijë rreth moshës 4-vjeç, i cili është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar. Dyshohet se fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani, në oborrin e shtëpisë, ndërsa ngasësi – ka lidhje familjare me viktimën”, ka bërë të ditur ai për KosovaPress.
Tutje, ai ka thënë se dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore për të ekzaminuar vendin.
Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe ngasësi i veturës është ndaluar në mbajtje për 48-orë. (A2 Televizion)