Dhjetëra persona morën pjesë në protestën e organizuar nga familja e Agon Zejnullahut, të riut që humbi jetën në orët e para të 7 korrikut, pas arrestimit nga policia e Kosovës.
Protestuesit kërkojnë drejtësi për 27-vjeçarin, ndërsa protesta u mbajt pranë stacionit policor në Lipjan.
Vëllai i Agonit, Albani tha se presin hetim dhe transparencë të plotë dhe jo heshtje institucionale.
Pas ngjarjes së rëndë në Lipjan, komandanti i policisë, Argjend Gashi, dha dorëheqjen e cila u pranuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Ky veprim që u tha se ishte si akt moral nuk është i majftueshëm për shoqërinë civile, që ka reaguar dhe protestuar që nga momenti kur ndodhi ngjarja.
Ndërkaq Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan, ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj rreshterit Ibrahim Nela dhe efektivëve policorë Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri.
Të pesë zyrtarët policorë dyshohen për vrasje nga pakujdesia në rastin e Agon Zejnullahut në Lipjan, i cili humbi jetën gjatë arrestimit, shkruan A2.
Sipas dosjes së prokurorisë, zyrtarët ishin treguar të pakujdesshëm në momentin e arrestimit, me njërin prej tyre që kishte vendosur gjurin te pjesa e shpinës, në afërsi të qafës së të ndjerit. (A2 Televizion)