Bordi i Përbashkët i Mitrovicës mban takimin e parë, kush ishin të pranishmit

Nga A2 CNN
12 Qershor 2025, 16:20 | Politikë

Bordi i Përbashkët i Mitrovicës mban takimin e parë, kush

Bordi i Përbashkët i Mitrovicës ka mbajtur të enjten takimin e parë, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut dhe anëtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës.

Takimi u kryesua nga ministri në detyrë i administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në cilësinë e përfaqësuesit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas Krasniqit, ky bord vendos "një model të ri të bashkëpunimit institucional që synon përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve".

Sipas Qeverisë në detyrë të Kosovës, ky bord ka një rëndësi të veçantë për bashkëpunimin mes këtyre dy komunave.

Formimi i tij, sipas ekzekutivit, është bërë në përputhje me Ligjin për kufijtë administrativ të komunave.

“Përmes bashkërendimit në fusha kyç si infrastruktura, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet komunale, ky Bord do të ofrojë një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe ndërtimin e besimit reciprok. Me pjesëmarrje të barabartë nga të dy komunat dhe nën kryesimin e përfaqësuesit të kryeministrit, ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit ndaj interesit të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim”, u tha në njoftim.

Ligji për kufijtë administrativ të komunave parasheh që Bordi i Mitrovicës të përbëhet nga 11 anëtarë. Nga pesë anëtarë do të jenë nga dy komunat dhe një nga ekzekitivi.

Ligji kishte pësuar ndryshime më 2012, pasi në versionin e parë, kryesuesi i Bordit ishte paraparë të ishte nga një përfaqësues civil ndërkombëtar. Por, me përfundimn e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ky ligj, sikurse edhe disa ligje të tjera, pësuan ndryshime.

Bordi, sipas ligjit, konstituohet brenda një afati të caktuar kohor pas konstituimit të kuvendeve komunale të komunave përkatëse "dhe do të zhvillojë bashkëpunim funksional në bazë të marrëveshjes së komunave".

"Në rast se Bordi nuk konstituohet, brenda një afati të caktuar kohor, kryesuesi i Bordit ushtron funksionet e përcaktuara në paragrafin 2 të nenin 7 të këtij ligji deri në konstituimin e Bordit", thuhet në ligj.

Ai udhëhiqet nga kryesuesi i Bordit që zgjidhet nga kryeministri, në këtë rast ministri në detyrë, Elbert Krasniqi.

Kurti ishte i pranishëm në takimin e parë të Bordit dhe tha se formalizimi i këtij bordi është “një detyrë e rëndësishme”.

“Ai falënderoi kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza, dhe kryetarin e Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, për propozimet e tyre për anëtarë të këtij Bordi. Anëtarët, kryeministri Kurti i uroi për detyrën e re dhe u dëshiroi shumë suksese dhe punë të mbara e të mira, teksa u zotua për mbështetje të plotë përballë sfidave që mund të kenë”, u tha në njoftimin e Qeverisë.

Mbledhja e këtij bordi u mbajt dy ditë pasi Kurti qëndroi në këto dy komuna, ku zhvilloi takime me dy kryetarët.

Ndryshe, krijimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ishte paraparë në Planin e Ahtisarit që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, kjo komunë u zyrtarizua më 2013, pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë.

Komuna e Mitrovicës së Jugut është e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa ajo e Veriut me shumicë serbe./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos