Votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale në Kosovë kanë nisur të numërohen këtë pasdite në Prishtinë dhe në 37 Qendra të tjera Komunale të Numërimit, proces i cili do të realizohet përmes ekipeve të numërimit.
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Në 38 Qendra Komunale të Numrimit do të punohet në dy orare, ndërkaq KQZ ka emëruar më shumë se 520 ekipe të numërimit me mbi 2 mijë anëtarë.
Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.
Përveç organizimit të votimit në 2,571 vendvotime të rregullta, KQZ ka mundësuar votimin me kusht në 54 vendvotime të tjera, votimin jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile për 3,467 votuesit me nevoja të veçanta dhe votimin jashtë Kosovës përmes postës për 43,933 shtetasit e Kosovës.
Numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta dhe i fletëvotimve nga votimi jashtë Kosovës, do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi të përfundon procesi në Qendra Komunale të Numërimit.
Sipas të dhënave preliminare të deritashme, në 54 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi, kemi 2,119 zarfe me fletëvotime, shkruan A2 CNN.
Nga votimi jashtë Kosovës, nga tërheqja e dërgesave postare që është bërë nga 22 kuti postare, nga gjithsej 23, numri i zarfeve të supozuara me fletëvotime është 33,258.
Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 3,467. (A2 Televizion)