Pas përfundimit të takimit të liderëve të partive politike në Kosovë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ky i fundit deklaroi se ka bërë dy propozime.
I pari ka të bëjë që Albulena Haxhiu tërhiqet nëse dështon në votimin e parë të fshehtë. Ndërsa propozimi i dytë ishte marrëveshje për të rrezuar së bashku komisionin për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë dhe më pas të votojnë përmes votimit të hapur në pako për kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Ai tha se këto janë dy kompromiset që i ofroi Lëvizja Vetëvendosje. Kurti tha se takimi ia ka vlejtur sepse u sqaruan disa gjëra, ndër to edhe keqinterpretimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga PDK dhe LDK. Sipas Kurtit, votimi i fshehtë nuk është antikushtetues në bazë të këtij vendimi. (A2 Televizion)