
Shumica e kryetarëve në 38 komunat e Kosovës u zgjodhën me përqindje të ulët të mbështetjes, për shkak të pjesëmarrjes së vogël në votime.
Brenda vitit, shumë qytetarë votuan tri herë: në zgjedhjet parlamentare në shkurt, në rundin e parë lokal në tetor dhe në balotazhin në nëntor.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ishte partia e vetme që i mbajti të gjitha komunat e mëparshme dhe fitoi edhe tri të reja.
Në Prizren - qytet me rreth 190.000 banorë me të drejtë vote - mjaftojnë rreth 25.000 vota për të zgjedhur kryetarin e komunës.
Në këtë mënyrë u zgjodh Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Ai mori besimin e 13.4 për qind të votuesve që morën pjesë në balotazhin e 9 nëntorit në zgjedhjet lokale.
Ngjashëm u zgjodhën edhe shumica e kryetarëve të tjerë të 38 komunave të Kosovës.
Përkrahje më të madhe morën kryetarët e komunave me shumicë serbe dhe kryetari i Mamushës, ku shumica e banorëve i përkasin komunitetit turk.
Prej komunave me shumicë shqiptare, mbështetjen më të lartë në përqindje e kishte Mehmat Ballazhi i PDK-së në Han të Elezit.
Ai siguroi mandatin katërvjeçar duke marrë 32 për qind të votave të qytetarëve me të drejtë vote.
Për këtë ka dy arsye: pjesëmarrja në votime ishte e ulët dhe ende ka ankesa se listat e votuesve nuk janë plotësisht të pastruara.
Balotazhi i 9 nëntorit ishte hera e tretë që qytetarët e këtyre komunave dolën në votime brenda këtij viti kalendarik: më 9 shkurt për zgjedhjet parlamentare, më 12 tetor për rundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe më 9 nëntor për rundin e dytë.
Për më tepër, diskutohet edhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi rezultatet e 9 shkurtit nuk prodhuan ende një qeveri.
Kjo, mësa duket, bëri që në shumicën e komunave, dalja në votime në balotazh të ishte më e ulët se në rundin e parë.
Megjithatë, ata që dolën të votojnë, zgjodhën kryesisht partitë që kishin drejtuar komunat e tyre gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar.
Nga 38 komunat e Kosovës, në vetëm katër prej tyre u ndërrua pushteti.
E vetmja nga partitë e mëdha që i mbajti të gjitha komunat që i kishte fituar në zgjedhjet e para katër vjetëve dhe arriti t'i shtonte edhe tri të tjera, ishte Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo fitoi me Valon Prebrezën në Fushë Kosovë, komunë ku pushtetin me vite e kishte Lidhja Demokratike e Kosovës; me Faton Pecin në Mitrovicë të Jugut, ku në pushtet ishte Partia Demokratike e Kosovës, dhe me Halil Thaçin në Obiliq, ku zgjedhjet paraprake i kishte fituar Xhafer Gashi, një i pavarur që më vonë iu bashkua LDK-së.
Komuna tjetër ku kishte ndryshim, ishte Drenasi. Tradicionalisht e fituar nga PDK-ja, këtë herë kryetar u zgjodh Ramiz Lladrovci, i cili pas dy mandateve si kryetar, nuk e mori kandidimin nga PDK-ja, por arriti të fitojë sërish, duke garuar me një listë të pavarur.
Të gjitha këto bënë që tetë parti të jenë fituese nëpër komunat e Kosovës.
Më së shumti komuna fitoi Lista Serbe, e cila arriti t'i sigurojë të dhjetat me shumicë serbe.
LVV-ja dhe LDK-ja renditen pas saj, me nga shtatë komuna secila.
PDK-ja u pozicionua e para në gjashtë komuna, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në pesë./ REL
(A2 Televizion)
