Kryeministri Rama tha se fondi prej 15 milionë eurosh i dhënë dje nga Bashkimi Europian nuk shumë totale që do t’i jepet Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.
“Është vetëm një fond i parë, i garantuar me shpejtësi maksimale për një fazë paraprake. Nuk është fondi i përgjithshëm i BE”, tha Kryeministri gjatë një inspektimi banesash në Vorë bashkë me Komisionerin Europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic. “Komisioni dhe Presidentja Von der Leyen është angazhuar me ne për të pasur një raport të detajuar të post katastrofës dhe në bazë të atij raporti do të vijë edhe mbështetja e plotë”.
Rama shtoi se ka marrë mbështetje nga partnerët e Shqipërisë në NATO për të marrë pjesë në një konferencë të madhe donatorësh për të mundësuar mbledhje nga shtetet, jo vetëm nga Bashkimi Europian. “Presidentja Von der Leyen më tha po mbrëmë se Komisioni Europian do të jetë organizatori i kësaj konference që do të bëhet në një kohë të shpejtë. Unë kam kërkuar jo më vonë se sa janari”, tha Rama.
Sa i përket inspektimit dhe vlerësimit të dëmeve në të gjithë zonën e prekur nga lëkundjet e tokës, Kryeministri tha se deri tani janë kaluar 4000. “Por shumë të tjera janë për t’u bërë. Raporti do të bëhet me shpejtësi, por pa nxitim, në mënyrë që të dimë cilat janë godina që do të shembem dhe cilat do të riparohen”, tha ai. (A2 Televizion)