
Nga njësia 8 në kryeqytet, Indrit Hoxha është shprehur për A2 CNN, se do të ketë një pjesëmarrje të lartë në votimin për shkarkimin e kreut aktual demokrat që nuk është parë asnjëherë në proceset demokratike. Sipas tij, kjo nuk është çështje bravash, numrash apo çelësash, por çështje opozite dhe demokratët sot kërkojnë t’i rikthejnë opozitën vendit dhe më pas të përballen me Ramën.
“Që në minutat e para të hapjes së kutive të votimit, kanë ushtruar të drejtën e votës, 40 demokratë. Pjesëmarrja është e lartë, do të jemi në nivelet që nuk janë parë kurrë në proceset demokratike. Kjo nuk është çështje bravash, numrash apo çelësash, por çështje opozite, dhe demokratët sot kërkojnë t'i rikthejnë opozitën këtij vendi e më pas të përballen me regjimin e Ramës që dihet se çfarë i ka bërë Shqipërisë këto vite”.
Duke qenë se dega numër 8 e PD-së në Tiranë është shtëpia e vjetër e Bashës, dhe zona elektorale e Jorida Tabakut, Hoxha thekson se interesi i demokratëve në këtë degë është shumë i lartë. Ai ironizoi Kuvendin e thirrur nga kreu i PD-së në Pallatin e Kongreseve, duke e cilësuar atë shoqatë të Bashës dhe Bardhit.
“Dega 8 është shtëpia e vjetër e zotit Basha, zona elektorale e Tabakut dhe Rushajt dhe ju e shikoni intensitetin që po shfaqin demokratë në këtë degë. Në Pallatin e Kongreseve zhvillohet mbledhja e shoqatës Basha-Bardhi. Në një sallë me 2100 ulëse sesi mund të ulen 8 mijë delegatë, kjo është vetëm logjikë e Bashës: 7 x 7= 42”.
Hoxha thekson se procesi zhvillohet njësoj si për zgjedhjet e përgjithshme, ku çdo demokrat që ka një kartë anëtarësie nga viti ’90 e sot dhe nuk ka emrin në listë mund të vijë të votojë, ndërsa përjashton mundësinë e votimit disa herë për shkak të elementeve të sigurisë. (A2 Televizion)