Reja: Pres më shumë nga ekipi, nuk e di pse nuk luajmë mirë në Arenën Kombëtare

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2020, 22:39 | Futboll
Reja: Pres më shumë nga ekipi, nuk e di pse nuk luajmë mirë

“Pres më shumë nga ekipi”. Duket i kënaqur vetëm nga rezultati trajneri Edi Reja, i vetëdijshëm që kjo Kombëtare mund të japë më shumë dhe të rrezikojë më pak, kundër një kundërshtari përgjithësisht modest si Kazakistani.

Sipas teknikut italian, një arsye, edhe pse jo tërësisht racionale, është pikërisht Arena Kombëtare. “Nuk ka të bëjë stadiumi që është fantastik, por terreni që na penalizon, nuk luajmë asnjëherë mirë në Arenën Kombëtare, nuk e di pse, e kemi më të thjeshtë në Elbasan ”.

Kishte interes edhe për fjalët pas ndeshjes e ish-kapitenit Elseid Hysaj, pas shiritit që i kaloi portierit Etrit Berisha. Por, Hysaj mohon çdo problem, madje sqaron logjikën e ndryshimit.

"Gjithmonë e kemi pasur që ai me më shumë ndeshje do të kishte shiritin. Kur ishte Strakosha e kisha unë, tani e mori Berisha, kur të rikthehet Strakosha do të jem sërish unë", thotë Hysaj duke buzëqeshur.

Buzëqesh më pak kur pyetet për kritikat që i bëjnë shpeshherë për angazhimin e tij në Kombëtare, me performanca nën atyre që jemi mësuar në Serie A me Napolin.  “Unë vij këtu për të nderuar fanellën, po realisht jam vetëm 4 ditë me çunat, nuk është thjeshtë të luash me modulin 3-5-2, të cilin unë nuk  e njoh aspak”, thotë mbrojtësi shkodran.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos