Krasniqi: PD sillet sikur e gjithë shoqëria e ka tradhtuar, nuk analizon gabimet e veta

Nga A2 CNN
14 Qershor 2021, 22:23 | Politikë

Mbi të ardhmen politike të Partisë Demokratike, pas zgjedhjeve të brendshme të fituara sërish nga Lulzim Basha, politologu Afrim Krasniqi mendon se po diskutohet më shumë në media sesa në strukturat e partisë opozitare.

“Kam përshtypjen se më shumë bëjmë debat ne mbi strategjitë e PD sesa bëjnë ato në grupet parlamentare dhe në Këshillin Kombëtar. Ata thonë që kanë 70 mijë anëtarë por kjo nuk do të thotë që janë 70 mijë demokratë, sepse të jesh demokrat duhet të jesh një njeri model, që ka lidhje me vlerat konservatore”, thotë ai në emisionin "Absolut 4".  

Sipas tij, “mandati i 2013 i Bashës ka qenë i plotë dhe legjitim, ku nuk iu shkelen rregullat e lojës, me një garë të pastër midis personalitetesh. Mandati i 2017 ishte tërësisht formal, ku preokupimi ishte të shtohen anëtarët, dhe dolën të dhëna fiktive për t’i bërë qejfin kryetarit”.

Sfida kryesore e PD për politologun do të jetë krijimi i mekanizmave dhe kohezionit, por mbetet pesimist për kapacitetin e kësaj partie për t’u reformuar.  

“Shihni nga ana tjetër, kanë fituar pushtetin janë në kulmin e tyre dhe bëjnë analiza zgjedhore, ndërkohë që në PD asnjë nuk ka dhënë dorëheqje, nuk bëhet analizë. PD sillet sikur është viktimë, sikur e gjithë shoqëria e ka tradhtuar, dhe nuk analizon gabimet e veta. Nuk shkohet në shekullin e ri me persona që nuk do të donim as t’i kishim afër në lagje, jo më si përfaqësues politik.  PD duhet t’i  kthehet aleancave me partitë popullore europiane dhe të zgjidhë dilemën me listën e zezë amerikane. Partia të ketë një kryetar dhe një kryesi sa më homogjene, pa yes men”, thotë Krasniqi.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos