Rrugëtimi i aeroportit, premtimi për Vlorën, prej 5 vitesh projekt në letër

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2020, 17:59 | Politikë
Rrugëtimi i aeroportit, premtimi për Vlorën, prej 5 vitesh

Ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, është një premtim i qeverisë Rama që prej zgjedhjeve të vitit 2015.

Pengesat për realizimin e tij, kanë qenë të ndryshme përgjatë këtyre viteve. Fillimisht ishte klauzola e ekskluzivitetit në kontratën koncesionare të aeroportit të Tiranës, që u zgjidh pas rinegocimit të kushteve mes shtetit dhe koncesionarit, ku u vendos për zgjatjen e kontratës me 5 vite të tjera.
Pengesa e radhës ishte forma e financimit të projektit.

Në shkurt 2017, Rama u takua me presidentin turk Erdogan, duke treguar për shfaqjen e interesit nga konsorciumi turk që kishte realizuar edhe aeroportin e ri të Stambollit. Por, pas thuajse dy vitesh negociatat dështuan, për shkak se turqit e panë projektin si pak fizibël dhe kërkuan garanci shtesë.

Atëherë u vendos që aeroporti i Vlorës t’i drejtohej procedurave të tenderimit ndërkombëtar dhe të jepej me PPP për 35 vite. Por, pak muaj pas shpalljes së garës, pandemia u bë pengesa e radhës. Tanimë me rihapjen e tenderit, sërish nuk pritet një fluturim pa turbullira drejt nisjes së ndërtimit.

Gjendja e rënduar financiare e industrisë së transportit ajror, problemet e mundshme me pronësinë mbi truallin, largësia e terminalit nga zona e bregdetit që do të furnizojë me turistë, infrastruktura mbështetëse dhe kushtet e kontratës dhe garancitë që do të kërkohen, janë të gjithë faktorë që mund të shtyjnë më tej datën kur një avion mund të ulet në Vlorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos