Sa do t’i kushtojë fiskalizimi bizneseve? Ibrahimaj tregon koston në “A2 Business”

Nga A2 CNN
30 Qershor 2021, 21:18 | Ekonomi
Sa do t’i kushtojë fiskalizimi bizneseve? Ibrahimaj tregon koston

Më 1 korrik hyn në fuqi faza e dytë e fiskalizimit. E thënë ndryshe, nuk do të lejohen më transaksionet me para në dorë ose “cash” mes bizneseve. Por, ato do të bëhen duke lëshuar faturë elektronike. Ky proces synon uljen e informalitetit në ekonomi dhe evidentimin e xhiros së saktë të bizneseve në kohë reale, duke lëshuar faturë për çdo shit-blerje që bëjnë. Por, për t’u fiskalizuar, një biznes duhet të ndjekë disa hapa, të cilat shoqërohen edhe me kosto. 

Më 1 janar, procesi i fiskalizimit nisi me bizneset që kryenin transaksione me institucionet shtetërore. Nga 1 korriku, fiskalizimi shtrihet për transaksionet mes bizneseve dhe nga 1 shtatori edhe për traksasionet mes bizneseve dhe konsumatorëve. Të dhënat zyrtare tregojnë se në fazën e parë u fiskalizuan 7690 biznese. Ndërsa mijëra të tjerë pritet të fiskalizohen në fazën e dytë. Deri më tani, janë pajisur me certifikatën elektronike për t’u fiskalizuar 18 500 biznese, ndërsa në total janë 34 000 subjekte që duhet t’i nënshtrohen këtij procesi. 

https://a2news.com/2021/06/30/ndikimi-i-fiskalizimit-ne-ekonomi-ibrahimaj-do-te-ulet-evazioni-dhe-do-te-rriten-te-ardhurat-nga-tvsh/

Fiskalizimi ka ngjallur diskutime, me argumenta pro dhe kundër. Një pjesë e bizneseve dhe ekspertëve kontabël kanë kërkuar madje shtyrjen e afatit. Ndërsa Ministria e Financave pritet të publikojë një Akt Normativ që fal gjobat për kompanitë që nuk do të jenë gati për t’u fiskalizuar brenda afateve ligjore të përcaktuara tashmë.

E ftuar në “A2 Business”, Drejtoresha e Përgjithshme të Tatimeve, zonja Delina Ibrahimaj, u shpreh: “Ne presim që të shtohet ditë pas dite numri i bizneseve që fiskalizohen. Sot që flasim ka një stok prej 4000 subjektesh që ende nuk e kanë marrë certifikatën elektronike, por është fluks i përballueshëm dhe të gjithë do të pajisen me këtë certifikatë”.

Sa i përket kundërshtimeve për fiskalizimin, Ibrahimaj tha: “Çdo reformë ka përballjet e veta. Kjo reformë do të ketë vështirësitë e veta në impementim dhe jam e bindur se edhe po të shtyhej sërish afati, kur të vinin ditët e fundit do të kishte sërish problematika. Qasja e administratës tatimore ndaj subjekteve nuk do të jetë penalizuese. Nuk do të ketë gjoba gjatë këtij viti për gabime në procesin e fiskalizimit. Ne do të ndjekim të gjitha bizneset në këtë proces dhe do t’i ndihmojmë me trajnime online dhe këshilla”.

Kur u pyet nëse do të ketë kosto financiare shtesë biznesi nga fiskalizimi, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve u përgjigj: “Patjetër që do të ketë kosto, por janë kosto të ngjashme me koston që paguhej për mirëmbajtjen e kasave. Flas këtu për biznesin e vogël. Kostoja është 100 euro pajisja, 40 euro printer elektronik dhe 4800 lekë nënshkrimi elektronik. Pra, nuk është një kosto aq e lartë sa e kishim parashikuar. Kjo bëhet një herë, më pas mirëmbajtja bëhet në varësi të asaj çfarë kërkohet”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/06/30/fiskalizimi-zekja-lehtesim-i-madh-do-te-kemi-nje-ekonomi-pa-letra/

A2 CNN Livestream

Latest Videos