
Shtyhet seanca gjyqësore në ngarkim të Saimir Tahirit, për shkak se avokatit Maks Haxhia i ka vdekur i ati.
Saimir Tahiri kërkon që t’i njihet periudha e provës si kohë e dënimit të tij, duke bërë që t'i ulet dënimi. Gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, do të zhvillohej sot në Elbasan.
Gjykata e Elbasanit ka nën juridiksion burgun e Lushnjës, ku Tahiri po vuan dënimin. Nëse kjo kërkesë pranohet, Saimir Tahirit do t’i ulet 1 vit e 6 muaj burg.
Në 6 shtator, Gjykata e Lartë zbardhi arsyetimin e vendimit përmes të cilit rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për pezullim të dënimit me burg. Ish-ministri iu drejtua kësaj gjykate në prill të këtij viti, gati 2 muaj pasi qëndronte në burg në zbatim të dënimit me 3 vjet e 4 muaj të dhënë nga Apeli i Posaçëm, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
“Në rastin në shqyrtim nuk rezulton që të ketë asnjë indicie që kërkuesi të mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier dhe nuk ka po ashtu asnjë indicie që vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim e të dënuarit Saimir Tahiri, mund të pasjellë pasoja të rënda për vetë të dënuarin, si dhe për familjen e tij”, lexohej në arsyetimin e vendimit. (A2 Televizion)