Dikur një bazë ushtarake, sot ishulli i askujt, Sazani mbetet ende misteri që duhet zbuluar. Nëse ke udhëtuar një herë, dëshiron të shkosh sërish aty. Ka gjithnjë diçka të re për të parë. Vija bregdetare e pacenuar është një joshje më shumë.
Kjo copëz e shkëputur nga Vlora, të josh nga larg. Aty është Karaburuni shpjegojnë banorët për të huajt. Tregojnë me gisht se një copëz e shkëputur nga ky gadishull grishës është Sazani, një ishull i mbushur me legjenda, të fshehta e tregime që vendasit nisin t’i tregojnë me krenari.
Sado të zgjasë biseda, në fund ajo mbyllet me keqardhjen se ishulli tanimë është i askujt. Ishullin e askujt e gjejmë në Orikum edhe nga një ballkon. Një pajisje moderne, i fton pushuesit të hedhin një sy drejt ishullit të pabanuar.
Është e vështirë të rrëfesh perëndimin nga ky ballkon buzë detit, por A2 rrugëtoi drejt rivierës për të rrëfyer historinë e një ishulli përmes lentes së aparatit fotografik. Sepse ky ballkon të fton të hysh në një galeri, të parën galeri të bregdetit.
Në këtë ishull artistik kuratori Elian Stefa nuk është i vetëm. Ai ka studiuar në Milano, ka punuar me Bienalen e Venecias, kuruar galeri në Nju Jork, por i është rikthyer vendlindjes.

“Kam ikur i vogël nga Shqipëria, por jam çun Vlore dhe kam patur gjithmonë në mendje detin dhe perëndimin pranë Sazanit. E kam patur ëndërr të ndërveproj me atë ishull. Sivjet kemi hulumtuar hapësirën e ishullit përmes vëzhgimit të 5 fotografeve shqiptarë dhe të huaj, e shtuar me hulumtim arkivor te viteve ’50-‘80 ”, thotë ai.
Stefa e ka realizuar këtë ekspozitë bashkë me mikun e tij Niku Muçaj, një tjetër shqiptar që merret me art në Zvicër. Edhe ai ka mbërritur në Vlorë për të kuruar këtë ekspozitë për ishullin.

Ne zgjodhëm ta nisim këtë rrugëtim artistik nga e tashmja, jo vetëm sepse për të shkuarën mund të kenë shkruar gjatë, por sepse në hyrje të galerisë, si diptikun që çelte ekspozitën gjejmë veprën e Helidon Gjergjit, artistit që njihet si njeriu që i dha ngjyra pallateve parafabrikate të kryeqytetit duke e fashitur disi të shkuarën komuniste.

Këtë artist e gjejmë në galerinë e bregdetit, duke shënuar emrin në veprën e tij, që rrëfen përmes ishullit një kokë shqiponje të ulur, përkundrejt kokës tjetër, atë kryelartë të shqiponjës së flamurit. (A2 Televizion)