
Partia Demokratike vendosi të tërhiqet nga Këshilli Politik, pasi socialistët sollën disa amendamente ndaj pikave që përbënin marrëveshjen e 5 Qershorit.
Por sipas Dritan Shanos, nuk është PD-ja që po vë në rrezik marrëveshjen. “Përkundrazi, është pikërisht mazhoranca që me sjelljen e saj ka tentuar nga 5 Qershori të rikrijojë marrëveshjen sipas interesave të saj, si ky amendamenti që u soll sot papritur në Këshillin Politik, që tenton të maksimizojë mundësitë elektorale për Rilindjen dhe nuk përfaqëson aspak vullnetin e shqiptarëve”, thotë për A2 analisti dhe anëtari i këshillit kombëtar të PD.
Drafti i PS parashikon listat e kandidatëve 100% të hapura, me kandidatët që i nënshtrohen votës preferenciale, me pragun minimal për koalicione 3% dhe votën preferenciale që ndryshon në raport të numrit të votave që mbart kandidati, diçka kjo e denoncuar si truk nga opozita jashtëparlamentare.
Sipas Shanos, “truku nuk është te detaji, por te tentativa e përhershme e Gjiknurit dhe shefit të tij për të ndryshuar herë pas here rregullat e lojës. Personalisht do të preferoja një sistem mazhoritar, që shkon drejt dy dhomave, Parlamenti dhe Senati. Por jam dyshues edhe po paraqitën sistemin më të mirë të mundshëm, sepse kredibiliteti i PS është i dorëzuar në dorën e kriminalitetet të organizuar, në të gjitha nivelet e qeverisjes në Shqipëri”.
Dyshimi për Shanon është aq i madh sa ai thotë se po të varej prej tij, “nuk duhet të kishte as zgjedhje, pa pasur Gjykatë Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe e Apelit. Ne i provuam një palë zgjedhje moniste dhe pamë që nuk ka ku të ankohesh, që nga momenti që kjo mazhorancë e ka shkatërruar drejtësinë në vend. Rilindja ndodhet në ambientin e saj ideal, nga viti 1945”, thotë ai. (A2 Televizion)