Përfaqësuesi demokrat Bardh Spahia ka reaguar në lidhje me shembjen e godinës spitalore në Kurbin, ku për pasojë do të mbeten pa shërbim shëndetësor 75 mijë banorë të zonës. Në një postim në facebook ku publikon edhe email-in që njoftohet pezullimi i shërbimit mjekësor, Spahia thekson se askush nuk ka marrë masa, që shërbimi të ofrohej diku tjetër para prishjes së godinës.
“Qytetarët e Kurbinit mbeten pa shërbim mjekësor të specializuar sepse godina spitalore ku ato ofrohen do shembet!!! Pra secili nga 75 mijë banorët e Kurbinit, që do ketë probleme shëndetësore nuk do ketë mundësi të trajtohet sepse askush nuk ka marrë masa, që shërbimi të ofrohej diku tjetër para prishjes së godinës!!! Ja ku e ka katandisur shërbimin shëndetësor Edi Rama!”.
Duke denoncuar keqqeverisjen e kryeministrit Rama në dëm të qytetarëve ai thotë se është koha për ndryshim dhe një qeverisje të re që mendon për qytetarët.
“Ky është modeli permanent i menaxhimi të sistemit shëndetësor nga kjo qeveri me “duke parë e duke bërë”, pa pikë vëmendjeje se çfarë ndodh me shëndetin e qytetarëve. Eshtë një shembull i fundit krejt flagrant se sa pa vizion, pa strategji, pa plan e pa parashikim menaxhohet sistemi shëndetësor në vend, duke rrezikuar e jo garantuar shëndetin e qytetarëve! Të vetmin plan dhe vizion që ka Edi Rama dhe shpura e tij janë koncesionet korruptive dhe tenderat e errët! Ato i piketojnë e realizojnë shumë mirë, ndërsa qytetarët i lenë në mëshirë të fatit! Shqipëria meriton më shumë – qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Është koha për ndryshim dhe shpresë të re, për një qeveri që mendon dhe u shërben qytetarëve, që nuk ua bën taksat koncesione e tendera korruptivë, por ua kthen në shërbime që u lehtësojnë të përditshmen”, shkruan Spahia. (A2 Televizion)
