Shengeni Ballkanik, premtimet për pikat kryesore të marrëveshjes

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2019, 20:10 | Aktualitet
Shengeni Ballkanik, premtimet për pikat kryesore të marrëveshjes

Refuzimi i Kosovës për ftesën në tryezën në Tiranë mori vëmendjen kryesore të idesë së Shengenit Ballkanik.  Por A2 ka shkëputur disa nga premtimet kryesore të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev, ato që mund të shndërrohen nesër në pikat kryesore të marrëveshjes.

E para është krijimi i një database të përbashkët me të dhënat e qytetarëve që do të shërbejë për lëvizjen e lirë të njerëzve, qofshin këta vendas apo të huaj.

“Duke hapur kufijtë për të gjithë ata që vijnë nga vende të treta dhe po marr si shembull Kinën, për të vizituar njërin nga vendet dhe duke marrë parasysh këtu Serbinë, ne bëjmë të mundur që të rrisim në mënyrë eksponenciale numrin e turistëve në vendin tonë dhe të gjithë rajonin”, shprehej më parë, kryeministri Rama.

“Serbët dhe maqedonasit që duan të vijnë në Shqipëri ne do të bëjmë të mundur të njëjtat sisteme. Pra do të duhet që ata thjesht të aplikojnë dhe të marrin leje të përhershme pune në Shqipëri dhe e njëjta vlen dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi”, deklaronte Vuçiç.

Pikë tjetër është lëvizja e mallrave. Si Rama, ashtu dhe Vuçiç folën për pengesat që kanë kamionët e kompanive për kalimin në pikat kufitare.

“Eksportuesit shqiptarë, të produkteve bujqësore dhe në ndërtim, të cilat në rajon vijnë në rritje, do të kenë një përfitim progresiv”, deklaroi Rama.

Ndërsa Vuçiç shtoi: “Kamionët dhe maunet të mos rrinë se sa duhet në pikat kufitare. Do të përpiqemi që më tej të zbatojmë marrëveshjen e mbiquajtur të operatorëve të autorizuar”

Një parashikim tjetër në marrëveshje është ndihma e ndërsjelltë mes vendeve në rast fatkeqësish, një ide që u përforcua pas tërmetit të 26 nëntorit dhe dëmeve që shkaktoi ai në vendin tonë.

“Në fillim të shkurtit, institucionet tona të kërkim-shpëtimit do të nënshkruajnë protokollin e bashkëpunimit dhe të aktivizimit të shpejtë”, tha kryeministrit maqedonas Zaev.

Qëllimi i lëvizjes së lirë sipas ideatorëve të Shengenit, do të shtrihet në 4 nivele, për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, një zgjatim i Konferencës së Berlinit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2019/12/22/shengeni-ballkanik-meta-dhe-basha-qendrimet-pas-samitit-te-tiranes/

A2 CNN Livestream

Latest Videos