
Edhe pse nuk arriti të debutonte përkrah Lionel Messi-t në këtë sezon, Rey Manaj është heroi i ekipit B të Barcelonës.
Sulmuesi shqiptar rezultoi vendimtar për ekipin “blaugrana”, duke e kualifikuar në finalen e fazës “play off”, për të realizuar objektivin e ngjitjes në Ligën e Dytë spanjolle.
Manaj shënoi golin e barazimit 1-1 ndaj Badahoz. Një ekzekutim i saktë me kokë, i cili bëri që pas kohës shtesë, fituesi i ndeshjes të vendosej nga ekzekutimi i penalltive. Ky ishte goli i dytë në 8 ndeshje, prej transferimit te katalanasit në merkaton e janarit.
Sulmuesi kuqezi ishte përsëri vendimtar gjatë ekzekutimit të penalltive. Nga pika e bardhë, Manaj e dërgoi topin në rrjetë, duke ndihmuar Barcelonën B të fitonte, me skuadrën që në fund festoi kualifikimin në finale.
Tashmë, ekipi i dytë i katalanasve është vetëm një ndeshje larg ëndrrës për t’u ngjitur në Ligën e Dytë, e cila natyrisht do të shërbejë si një vitrinë më e rëndësishme për 23-vjeçarin shqiptar. (A2 Televizion)