
Lufta ndërmjet Ilir Metës dhe mazhorancës socialiste në dyert e Gjykatës Kushtetuese përfundoi.
Gjyqtarët dëgjuan pretendimet përfundimtare të palëve sa i takon vendimit të Kuvendit, i cili shkarkoi Presidentin e Republikës nën argumentin se kishte shkelur rëndë Kushtetutën, duke u bërë palë me opozitën në fushatën elektorale të vitit 2021. Pritmëritë e socialistëve janë të mëdha.
“Vendimi për rrëzimin apo pranimin e merr vetëm Gjykata Kushteuese. Ka qenë një proces shumë i mirë për cilësinë e demokracisë në Shqipëri. Çdo deklaratë e imja, apo e çdo pale tjetër në proces, nuk do t’i bënte mirë çuarjes deri në fund të një procesi që është festë për demokracinë”, tha Taulant Balla.
Përfaqësuesit e Ilir Metës vijuan mbrojtjen deri në fund, madje duke akuzuar Kuvendin për falsifikim dokumentesh, për të cilën ftuan jo vetëm organin e akuzës të nisë procedimin penal. Bledar Dervishaj u shpreh: “Kuvendi, në përmbushje të qëllimeve politike, edhe së fundmi depozitoi prova shkresore të manipuluara, vetëm dhe vetëm që të rrëzoheshin pretendimet e Kreut të Shtetit. Është në dorë të gjykatës të marrë një vendim që duhet të jetë i bazuar në Kushtetutë dhe në ligj”.
Nga dita e sotme, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të marrë vendimin dhe për të zbardhur argumentet, gjë e cila do të zyrtarizojë ose jo shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës apo korrjen e një fitoreje tjetër në dyert e drejtësisë. (A2 Televizion)