
"Një hap para në luftën e krimit të organizuar", u cilësua marrëveshja mes Shqipërisë dhe SHBA-së për procesin e ekstradimit. Në fjalën e saj, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me ministren e drejtësisë, Etilda Gjonaj, kryediplomatja amerikane tha se ky traktat siguron një tjetër armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, të cilët përpiqen të fshihen pas kufijve.
"Nuk do të ketë asnjë strehë të sigurt, këtu apo në Shtetet e Bashkuara, për të arratisurit që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë. Personat e kërkuar për ndjekje penale ose për kryerjen e një dënimi, për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati”.
Ambasadorja amerikane e vuri sërish theksin te reforma në drejtësi dhe puna e SPAK në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Shqipërisë dhe të mbështesin përpjekjen e saj për të çuar përpara reformën në drejtësi, pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballet. Përmes programeve tona të sektorit të drejtësisë, ne nxisim dhe mbështesim punën e paçmuar të Prokurorisë së Posaçme (PP) në vendosjen e përparësive dhe përqendrimin e burimeve në çështjet më të rëndësishme kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kundër krimit të organizuar. Ne po punojmë gjithashtu edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) në çdo hap të zhvillimit të saj, duke ndihmuar aktualisht në zgjedhjen e më të mirëve nga hetuesit më të mirë, përmes një procesi të drejtë, objektiv dhe transparent të punësimit".
Diplomatja amerikane tha se puna e SPAK-ut nuk duhet të konsistojë vetëm në atë që kërkon Amerika, por atë që çfarë duan dhe meritojnë qytetarët shqiptarë.
"Ndihma që SPAK të funksionojë plotësisht (si PP ashtu edhe BKH) është një prioritet për Ambasadën e SHBA. Ky është një proces në rrugë e sipër dhe një parakusht për arritjen e rezultateve të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Suksesi i SPAK-ut nuk është vetëm çka Shtetet e Bashkuara presin – është ajo që qytetarët shqiptarë duan, kanë nevojë dhe meritojnë”. (A2 Televizion)