"10 lekë kastraveci", fermerët s'po shesin dot perimet: Punojmë ndershmërisht

Nga Armend Pire
15 Shtator 2025, 15:19 | Aktualitet

Marjo Begaj prej vitesh kultivon perime në fshatin Samaticë të Bashkisë së Dimalit, por nga viti në vit ky sektor po bëhet shumë i vështirë për të. Bllokimi i 8 tonëve domate me origjinë nga Shqipëria në Kroaci ka bërë që për shumë eksportues të bjerë besimi te fermerët shqiptarë për cilësinë e produktit.

Mungesa e certifikimit të prodhimit nga agronomët e njësive vendore të Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor apo Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes së Bimëve ka bërë që perimet e fermerëve të mbeten pa vjelë në sera.

“Mund të ketë fermerë që abuzojnë me dozën, sigurisht. Në çdo lloj pune ndodh që çalon diku. Një nga problematikat është që shumica e pesticideve që janë të ndaluara nga BE, në vendin tonë kanë arritur të depërtojnë. Fermeri nuk e ka dijeni se cilat preparate nuk janë të lejuara për t’u përdorur”, tha fermeri Marjo Begaj.

Edhe Flori Begaj, një tjetër i ri që ka vendosur të merret me bujqësi, thotë se për shkak të një ngarkese me pesticide po dëmtohen të gjithë fermerët në shitje, shkruan A2 CNN.

“Unë personalisht kam 1 hektar serë, kam mbjellë trangull dhe pak domate, por nuk po shiten. Çmimi normal është i ulët, por ne po vuajmë dhe heqim. Tregtarët, eksporti nuk po funksionojnë si kanë funksionuar”, u shpreh fermeri.

Humbjet në bujqësi për fermerët janë të mëdha, pasi me çmimet aktuale nuk mbulojnë dot as kostot e mbjelljes.

Fermerët kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave përkatëse për të shmangur falimentimin e tyre të sigurt, ashtu siç ka ndodhur me fermerë të tjerë të zonës, të cilët i kanë braktisur serat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos