Edmond Hoxhaj, gazetar i "BIRN", i ftuar në studion e “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN, u shpreh se “rreth 70% e neneve të reja të Kodit Penal janë huazuar nga vende si Gjermania e Franca dhe janë përshtatur për realitetin shqiptar”.
“Kodi Penal është një nga dokumentet më të rëndësishëm, pas Kushtetutës, të Republikës së Shqipërisë. Normalisht, ndëshkon për moszbatimin e normave ligjore, por publiku nuk e njeh nevojën që lindi për të bërë ndryshimet në Kodin Penal. Nuk janë trajtuar këto nevoja ose problematika nga grupet e interesit”, tha fillimisht Hoxhaj.
Më tej, gazetari theksoi se “rreth 70% e neneve të reja janë huazuar dhe janë përshtatur për realitetin shqiptar”.
“Janë huazuar nga Franca, Gjermania, Spanja dhe Italia, që janë realitete të ndryshme. Patjetër që ka nevojë për huazime, për shembull sa i përket krimeve kibernetike, pasi evoluojnë me shpejtësi dhe ne duhet të përshtatemi për ta ndjekur këtë lloj kriminaliteti”, theksoi Hoxhaj.
(A2 Televizion)