Mbetet shqetësuese situata e zjarreve në vend. Nga veriu në jug janë aktive 14 vatra. Në Bashkinë Finiq, zjarri ka kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam.
Gjatë ditës është riaktivizuar vatra e zjarrit brenda fshatit Krongj, ku është bërë evakuimi i banorëve. Gjatë gjithë natës, vatra aktive më problematike ishte ajo në fshatin Leshnicë e Poshtme. Përveç forcave të shërbimit zjarrfikës, është angazhuar edhe një avion kroat Canadair.
Vatra zjarri ka edhe në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës. Në terren po punojnë efektivët e shërbimit zjarrfikës Himarë, Sarandë, me 3 automjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë, për shuarjen e tij.
Gjithashtu ka operuar edhe avioni kroat Canadair. Në Bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë një grupi banesash dhe pranë qytetit, te Azili i të Moshuarve.
Edhe në fshatin Mukaj, njësia administrative Kukur, Bashkia Gramsh, situata ka qenë problematike për shkak të erës, duke rrezikuar edhe banesat. (A2 Televizion)