Aeroporti i Tiranës mirëpriti mbi 1.1 milion pasagjerë në Qershor, shtohen 5 linja të reja

Nga A2 CNN
17 Korrik 2025, 15:04 | Aktualitet

Aeroporti i Tiranës mirëpriti mbi 1.1 milion pasagjerë në

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton për një trend në rritje të qëndrueshme të trafikut ajror në Shqipëri.

Sipas të dhënave të publikuara nga TIA, vetëm gjatë muajit qershor 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mirëpritur 1,147,866 pasagjerë, një rritje e ndjeshme krahasuar me muajin maj.

Gjatë së njëjtës periudhë janë kryer 6,830 fluturime, që kanë lidhur Tiranën me 103 destinacione në 31 shtete, përmes 27 linjave ajrore që operojnë në këtë aeroport.

Destinacionet më të kërkuara mbeten qytetet italiane dhe britanike, me Milanon, Londrën, Romën, Bolonjën dhe Venecian që kryesojnë listën e preferencave të udhëtarëve.

Përveç rritjes së numrave, TIA ka shtuar edhe linja të reja direkte gjatë periudhës prill–qershor 2025, duke forcuar lidhjet me destinacione të reja europiane. Linjat e reja përfshijnë Nantes dhe Bordeaux në Francë, Larnaca në Qipro, si dhe Málaga dhe Malta.

TIA mbetet e përkushtuar ndaj zgjerimit të lidhjeve rajonale dhe përmirësimit të përvojës së pasagjerëve.

Aeroporti është përgatitur për fluksin e sezonit veror, ku pritet që shifrat të tejkalojnë edhe ato të vitit të kaluar. Me ardhjen e turistëve të huaj dhe udhëtimet e pushuesve shqiptarë jashtë vendit, TIA po renditet ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë të trafikut ajror në rajon në dy vitet e fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos