Asfiksohen tre zjarrfikës në luftë me flakët, ministri Vengu i viziton në spital

Nga A2 CNN
21 Korrik 2025, 18:35 | Aktualitet

Asfiksohen tre zjarrfikës në luftë me flakët, ministri Vengu

Puna për shuarjen e zjarrit në malin e Dukatit, që digjet prej tre ditësh, nuk ka qenë aspak e lehtë për tre zjarrfikës të Bashkisë së Vlorës, të cilët janë asfiksuar nga tymi gjatë operacionit. Të tre zjarrfikësit janë transportuar për në spital, ku po trajtohen me ndihmë mjekësore.

Efektivët e Forcave Zjarrfikëse janë vizituar në spital edhe nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili për mediat tha se gjendja e tyre është e stabilizuar.

“Të tre efektivët kanë ndjerë disa shqetësime në rrugët e frymëmarrjes, kanë marrë ndihmën e menjëhershme janë transportuar nga Forcat e Armatosura dhe në Orikum kanë marrë ndihmën e parë. Më pas janë transportuar në Urgjencën e Spitalit të Vlorës, ku tashmë gjendja është e stabilizuar”, bëri me dije ministri Vengu.

Ndërkohë, në rrjetin social Facebook, Vengu shkruan: “Mirënjohje për Luanin, Dëfrimin, Andrean, të gjithë zjarrfikësit dhe efektivët e FARSH, si dhe çdo strukturë e individ të angazhuar në parandalimin dhe luftën kundër zjarreve, kudo në Shqipëri”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos