
Prej dy ditësh, qarkullimi në aksin rrugor Strugë-Qafë Thanë është plotësisht i paralizuar, duke mos lejuar kalimin e asnjë mjeti në të dy drejtimet.
Shkak i bllokimit është rrëzimi i një autoboti të mbushur me gaz, ngjarje që ka detyruar autoritetet policore të Maqedonisë së Veriut të ndalojnë totalisht lëvizjen, për të shmangur rreziqe serioze për sigurinë e mjeteve dhe qytetarëve, shkruan A2.
Gjatë ditës së sotme është ndërhyrë me mjete të rënda dhe vinç, me qëllim largimin e autobotit nga rruga, por përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.
Sipas burimeve zyrtare, puna pritet të vijojë edhe ditën e nesërme, ndërsa nuk ka ende një afat të qartë nëse rruga do të hapet më 1 janar apo jo.
Bllokimi ka sjellë pasoja të edhe në pikat doganore, duke ndalur totalisht punën në të dyja palët, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Situata ka penguar gjithashtu qindra shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të cilët kishin planifikuar të vinin në Shqipëri për të festuar ndërrimin e viteve, pavarësisht interesit të lartë për festat.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin këtë aks rrugor dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo zhvillim të ri.
Duhet theksuar se çdo ditë në këtë pikë kalimi kufitar në periudhë festash hyjnë dhe dalin më shumë se 6 mijë shtetas vendas dhe të huaj. (A2 Televizion)