Në gjyq që në vitin 1994, historia e 79-vjeçarit që u plak dyerve të gjykatave

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
9 Tetor 2025, 12:18 | Aktualitet

Sadedin Zeqo nga Orikumi i Vlorës është një ndër hallexhinjtë e shumë në qytetin bregdetar që prej dekadash nuk po gjen zgjidhje për pronën e tij në Orikum.

Dhe ku tjetër përveçse dyerve të gjykatës së Vlorës mund ta gjesh 79-vjeçarin. Sikur të mos mjaftojë konflikti për pronën ai prej 6 vitesh nuk po korrigjon dot as gabimet e bëra nga vetë gjykata.

“Kam që në vitin 94 deri më sot nuk po zgjidh çështjen e pronave dhe kjo për ndreqje gabimesh të gjyqtarit që vë dorë në dosje gjyqtari dhe deformon dosjen. Më mungon e gjithë dosja, nuk u gjykuar. Po bëj që në 2019, që është gabim dhe nuk është gjykuar dhe nuk gjendet dosja. Që në 94, më shumë se 30 vjet.”

Në mënyrë të përmbledhur 79-vjeçari tregon edhe llojin e konfliktit.

“Pala kufitare bëri gjyqin pa dëshmitar. Është dosja aty. Në këtë gjykim të palës kufitare, në mbledhje vendimi i gjyqit, nxjerrë nga Gjenovefa Gaba, ka gabim 8 hektarë. Në mbledhje e ka vendimi i gjyqit. Dhe ata kanë tapinë e tyre,  se e kam hetuar unë dhe tapia e tyre në tre dokumente del 130 vreten, gjykata ju jep 32 hektarë.”

Në fund kur e pyet se si e mendon zgjidhjen e këtij konflikti që nuk po zgjidhet prej më shumë se tre dekadash, Zeqo të përgjigjet me një tjetër pyetje retorike.

“Të vjedhësh 17 hektarë në Orikum, ta ligjërosh në komisionin e Pronave se janë të lidhura zinxhir këto. E kupton, prokuroria, gjykata, pushtet, tek zyrat e bashkisë, deri në Kadastër, ore ku i shpie mushka këta njerëz. Të vjedhësh 17 hektarë dhe ta ligjërosh e të kërkosh dhe leje ndërtimore...”

Vlora vazhdon të mbetet një prej qyteteve jo vetëm me volumin më të lartë të dosje vetë pronave, por edhe me numrin më të lartë të abuzimeve nga vetë institucionet shtetërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos