E gjithë Tirana është në duart e qytetarëve. Kështu u shpreh deputeti Flamur Noka në protestën e opozitës, e cila nis me tensione e përplasje me policinë. Në deklaratën e tij për mediat Noka akuzoi kryeministrin Rama se ka rekrutuar banda me uniformë për të kërcënuar opozitën.
“Asgjë më shumë se po përmbushim misionin e opozitës është përpjekje në përmbushje të misionit tonë. Banditët me uniformë të rekrutuar nga rilindja tentojnë të intimidojnë e kërcënojnë opozitën. Sokol Bizhga njeriu që nxori në pritë Gjergj Mehmetin në ‘97 është shpërblyer për urrejtjen që ka ndaj PD-së dhe vjen këtu të drejtojë falangat e krimit kundër qytetarëve”.
Ai i bëri thirrje kryeministrit që të largojë duart nga qytetarët, përndryshe do të shkojnë edhe në Surrel.
“I bëj thirrje nipit të Enver Hoxhës dhe Edi Ramës hiqni falangat e krimi nga policia dhe largoni duart nga qytetarët. Duart po u shtrinë drejt qytetarëve do t’ju djegin e përvëlojnë ju. Ky është një mesazh që përcjell sot nga ky vend që ushtrojmë mosbindjen civile. Asgjë e askush nuk e ndalon dot mosbindjen civile të opozitës. Janë të tmerruar se vala e revoltës qytetare do të mbërrijë edhe në Surrel. Bëni kujdes se me banditë me uniformë nuk do t’i trembë qytetarët. E gjithë Tirana në duart e qytetarëve për t’iu shkëputur pushtetin kusarëve se po i pinë gjakun qytetarëve. E kanë shpopulluar këtë vend”.
(A2 Televizion)