
Radhë të gjata në dalje në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, edhe në kushte kur policia jonë kufitare ka shtuar numrin e sporteleve, shkruan A2 CNN. Radhët shkojnë deri në 1 km dhe drejtuesit e mjeteve kanë pritur deri në 90 minuta për të kaluar në anën tjetër të kufirit.
Për autoritetet tona një fluks i tillë ka qenë i paparashikueshëm, por duket se shqiptarët kanë zgjedhur Greqinë për të kaluar këtë fundjavë. Në rrethana të tilla, policia jonë kufitare po punon me procedurë të përshpejtuar krahas shtimit të sporteleve, për shtetasit shqiptarë që kanë dokumente greke si dhe shtetasit e huaj.
Të njëjtët burime thanë se edhe pala greke ka shtuar numrin e sporteleve me qëllim përpunimin në kohën e duhur të dokumenteve për shqiptarët që vijnë nga Shqipëria në drejtim të vendit të tyre.
Forca të policisë kufitare janë në monitorim të kësaj situate të krijuar si dhe po kontrollojnë lëvizjen e mjeteve për të mos lejuar anomali nga drejtues të mjeteve që kërkojnë të kalojnë pa respektuar të tjerët që qëndrojnë në radhë.
Në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës dhe tokës neutrale radhët kanë shkuar deri në 4 korsi pasi fluksi I mjeteve është shumë i madh. (A2 Televizion)