“Isha 27 vjeç, ishte një ditë krejt normale. Kisha dalë për kafe me shoqërinë dhe kur po kthehesha në shtëpi, më ndodhi diçka që nuk e kuptova. Në fillim m’u duk sikur më humbi pesha e trupit. Ndjeva shtrëngim në gjoks, djersiva dhe pata një ndjesi sikur po vdisja”.
Ky ishte rrëfimi i Fisnik Qysës për “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.
“Unë u sprovova me vdekjen e dy prindërve të mi shumë afër me vite nga njëri-tjetri. M’u shemb bota sepse ndodhi gjithçka papritur. Kur rrija në shtëpi me vëllezërit e mi, na dukej sikur na kishin vjedhur. Ishte sprovë e madhe. Dy vite pasi humba prindërit më kapi ankthi. Që kur më ndodhi ataku i parë i panikut, ndryshoi gjithçka për mua. Nuk rrija dot as ulur, as në këmbë. Një ndjenjë që vështirë ta përshkruaj me fjalë...”, tregon i riu nga Kosova.
“Edhe pse kisha ankth në mënyrë të vazhdueshme, nuk e ndala punën. Më vonë e kuptova që unë nuk po e pranoja realitetin dhe ajo ishte që ma zgjati 4 vite luftën me ankthin. U tërhoqa nga shoqëria sepse isha në luftë me veten. Edhe pse konsultohesha me profesionistë, ndryshova edhe punën time. Kjo edhe për të sfiduar veten. Kur pashë që u lodha, u dorëzova dhe kërkova ndihmë të plotë. Bashkëpunova me profesionistë, shpreha gjithçka që ndjeva dhe për një kohë të shkurtër ia dola të fitoja luftën”, deklaroi Fisnik Qysa. (A2 Televizion)