Zgjidhet drejtuesi i ri i Gjykatës së Vlorës

Nga Edi Ruçi
23 Shtator 2025, 13:44 | Aktualitet

Zgjidhet drejtuesi i ri i Gjykatës së Vlorës

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka tashmë një drejtues të ri. Pas transferimit të ish-kryetarit Enkel Peza drejt kryeqytetit, pozicioni i mbetur vakant është marrë nga gjyqtari Fjorald Behari, i cili u zgjodh në këtë detyrë pasditen e së hënës, në një proces votimi të zhvilluar mes trupës gjyqësore të kësaj gjykate.

Behari mori shumicën e votave dhe doli fitues në garën për drejtimin e institucionit, pas disa raundesh konsultimesh dhe diskutimesh mes gjyqtarëve. Ai konsiderohet një nga emrat më të rinj në sistemin gjyqësor, por që ka fituar besimin e kolegëve të tij, edhe pse vetëm dy vite më parë ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe u transferua si gjyqtar në Vlorë.

Për shkak të përvojës relativisht të shkurtër, ai do ta mbajë detyrën e kryetarit për një mandat njëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje në fund të këtij afati.

Procesi i përzgjedhjes është ndjekur nga afër nga kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, i cili ishte i pranishëm në Vlorë në cilësinë e vëzhguesit.

Burime nga gjykata bëjnë me dije se në fazën e parë të procesit u tentua që detyra t’i besohej një prej gjyqtarëve me më shumë eksperiencë në këtë institucion, konkretisht me 5 ose 3 vite punë, por për shkak se asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave, u hodh shorti drejt gjyqtarëve më të rinj në sistem. Në mesin e tyre, Fjorald Behari rezultoi më i votuari, çka u interpretua si një sinjal për nevojën e një fryme të re në drejtimin e gjykatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos