“Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë”, reagimi i Avokatit të Popullit pas vrasjes së gjyqtarit

Nga A2 CNN
6 Tetor 2025, 19:26 | Aktualitet

“Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë”,

Avokati i Popullit ka reaguar pas vrasjes tragjike të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit, pak pasi dha vendimin. Institucioni e cilëson ngjarjen si një ndër më të paprecedentat në historinë e drejtësisë shqiptare, duke ngritur alarmin për sigurinë publike dhe shtetin ligjor.

“Në një ditë si kjo, ku një përfaqësues i pushtetit të drejtësisë u vra në sallën e gjyqit, shteti duhet të reflektojë thellë mbi përgjegjësitë e tij. Kjo është një ngjarje që trondit jo vetëm drejtësinë, por edhe vetë themelet e shoqërisë sonë”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.

Institucioni shpreh tronditje të thellë për humbjen e gjyqtarit Kalaja dhe bën thirrje për përgjegjësi institucionale në çdo hallkë që ka detyrimin të garantojë jetën dhe integritetin e atyre që i shërbejnë drejtësisë.

Në reagim theksohet gjithashtu se kjo ngjarje është pasojë e një sistemi të mbingarkuar dhe të lënë për vite nën vakanca, çka ka ndikuar në eficiencën e gjykatave dhe në mbrojtjen e vetë magjistratëve.

Po ashtu, Avokati i Popullit ngre shqetësimin për diskursin publik denigrues ndaj gjyqtarëve, i cili, sipas tij, ka ushqyer mosbesimin dhe agresionin ndaj drejtësisë.

“Në këtë klimë, drejtësia është e pambrojtur dhe me të, e pambrojtur mbetet edhe vetë shoqëria. Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë,” mbyllet deklarata e fortë e Avokatit të Popullit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos