Vrasja e gjyqtarit Kalaja, KLGJ: Cenon themelet e shtetit të së drejtës, dënojmë me forcë këtë akt kriminal

Nga A2 CNN
6 Tetor 2025, 19:35 | Aktualitet

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, KLGJ: Cenon themelet e shtetit të së

Këshilli i Lartë Gjyqësor është mbledhur këtë të hënë pas ngjarjes së rëndë ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, teksa ishte në krye të detyrës.

Në deklaratën e tij, Këshilli shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e gjyqtarit dhe e cilëson ngjarjen si një akt kriminal që godet themelet e shtetit të së drejtës dhe besimin e publikut tek drejtësia.

“Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat,” thuhet në reagim.

KLGJ dënon me forcë vrasjen e gjyqtarit Kalaja dhe thekson se çdo sulm ndaj integritetit të gjykatave është një dëm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve demokratike dhe interesit publik.

“Respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i shtetit të së drejtës. Cenimi i integritetit të tyre fizik është sulm jo vetëm ndaj magjistratëve, por ndaj vetë shtetit dhe institucioneve demokratike,” thuhet më tej në deklaratë.

Këshilli ka dënuar gjithashtu përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe denigrimin e figurës së gjyqtarëve, duke theksuar se mungesa e respektit ndaj drejtësisë nxit klimën e dhunës dhe mosbesimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos