Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e së hënës, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, humbi jetën brenda sallës së gjyqit pas një sulmi me armë zjarri.
Në deklaratën e saj, Gjykata e Lartë shpreh “tronditjen dhe dhimbjen e thellë” për këtë ngjarje tragjike dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit të ndjerë, shkruan A2 CNN.
Sipas trupës gjyqësore, kjo ngjarje është “një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë” me të cilën përballen gjyqtarët shqiptarë dhe për kushtet shqetësuese të infrastrukturës në shumë prej gjykatave të vendit.
“Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.
Ajo thekson se garantimi i sigurisë fizike dhe institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
“Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës”, përfundon deklarata e Gjykatës së Lartë. (A2 Televizion)