Vrasja e gjyqtarit, reagon KLP: Sulm ndaj Kushtetutës dhe shtetit ligjor

Nga A2 CNN
6 Tetor 2025, 18:08 | Aktualitet

Vrasja e gjyqtarit, reagon KLP: Sulm ndaj Kushtetutës dhe shtetit ligjor

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pasditen e së hënës, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit gjatë ushtrimit të detyrës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar me tronditje të thellë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një goditje ndaj vetë sistemit të drejtësisë dhe rendit kushtetues në vend.

“Nga kjo ngjarje është goditur jo vetëm një përfaqësues i drejtësisë, por edhe vetë Kushtetuta dhe shteti ligjor, pasi vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i paimagjinueshëm”, thuhet në deklaratën e KLP-së, shkruan A2 CNN.

Këshilli shpreh ngushëllimet për familjarët, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja, duke theksuar se trupës së drejtësisë i duhet tani më shumë se kurrë unitet dhe mbështetje institucionale.

“Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit”, përfundon reagimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos